Rrëfehet mes lotësh nëna e 29-vjeçares shqiptare, Savannah Kulla, e cila u vra dy ditë më parë nga ish-partneri i saj në Kanada.
29-vjeçarja shqiptare, Savannah Kulla, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, në parkingun e një qendre tregtare të martën pasdite.
Sipas mediave kanadeze, krimi ndodhi rreth orës 14:00, kur policia u njoftua për një grua të qëlluar me armë në një qendër tregtare. Viktima u shpall e vdekur në vendngjarje.
Nëna e të resë, Karen Kulla, ka rrëfyer mes lotësh momentet e fundit të vajzës së saj.
Ajo tregon se Savannah kishte shkuar për t’u takuar me ish-partnerin, i cili donte të kalonte kohë me vajzën e tyre 17-muajshe. Por takimi përfundoi tragjikisht.
“Thjesht nuk mund ta besoj që ajo ka ikur. Ajo ishte kaq e bukur, e zgjuar dhe ne e donim shumë,” tha nëna e saj.
Sipas dëshmisë së nënës, gjithçka nisi pas një debati për çantën me pelena.
“Dëgjova që ai i tha: ‘Më duhet çanta e pelenave’, dhe ajo iu përgjigj: ‘Do ta marr unë’.
Ai iu kthye: ‘E harrove çantën e mallkuar!’ – dhe më pas e qëlloi tre herë,” tregoi ajo.
Karen Kulla tha se vajza e saj kishte qenë e frikësuar prej muajsh.
“Më tha rreth një muaj më parë: ‘Nëse qëndroj me të, ai do të më vrasë’,” – rrëfeu ajo.
Savannah ishte nënë e katër fëmijëve dhe ishte ndarë nga Deschepper disa muaj më parë. Policia kanadeze ka bërë me dije se autori, 38-vjeçar, kishte precedentë penalë dhe ishte në kërkim për sulme me armë zjarri që nga viti 2023.
Pas ngjarjes, policia u përball me autorin, i cili u qëllua për vdekje nga oficerët gjatë ndjekjes.
Nëna e viktimës tregoi gjithashtu se ish-partneri e kishte ngacmuar vazhdimisht në telefon, duke e shqetësuar çdo ditë.
“E thërriste qindra herë në ditë. Ndonjëherë ajo i përgjigjej vetëm për t’i thënë ‘më lër rehat’,” – tha Karen.