Dushë Dega, mësuese në shkollën 9 vjeçare
“Besëlidhja e Malësisë” në Bajram Curri, ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 56 vjeçare.
Lajmi ka tronditur familjen, kolegët dhe gjithë qytetin, për ikjen e një prej arsimtareve të dalluara të Tropojës.
Shkolla “Besëlidhja e Malësisë” ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ikjen e mësueses Dushë Dega, duke shkruar se ajo ishte jo vetëm një arsimtare e dashur, por edhe një nënë e përkushtuar që nga sot do ju mungojë të gjithëve.
“Sot kolektivi i shkollës sonë është i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi i ndarjes nga jeta të mësueses sonë të dashur Dushë Dega. Një nënë e përkushtuar, një mësuese e dashur dhe një mike e mirë, që me dashurinë, durimin dhe përkushtimin e saj la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e kolegëve dhe nxënësve.
Ajo nuk ishte vetëm mësuese e fjalëve dhe e dijeve, por mësuese e shpirtit — një shembull i vërtetë i mirësisë, përulësisë dhe profesionalizmit. Kujtimi i saj do të mbetet përherë në çdo cep të shkollës, në çdo kujtim të bukur që kemi ndarë me të.
Në emër të gjithë kolektivit të shkollës, nxënësve dhe prindërve të shkollës shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Pushofsh në paqe, mësuese Dusha! Drita dhe dashuria jote do të mbeten gjithmonë me ne”, thuhet në mesazh.
Mësuesja Dushë Dega ka ndërruar jetë këtë të enjte në moshën 56 vjeçare, si pasojë e një sëmundje të rëndë, betejën me të cilën fatkeqësisht nuk e ka fituar dot.






