Aktori i njohur me emrin e artit Zebërvoki ka bërë një reagim të ashpër publik, duke zbuluar se ka marrë “bllok” në Instagram nga Luiz Ejlli.
Gjithçka duket se ka nisur pas një deklarate të aktorit lidhur me projektin e ri kinematografik të Luizit, e cila solli reagime të shumta nga fansat e këngëtarit, pavarësisht se Zebërvoki pretendon se nuk kishte qëllim negativ.
Në reagimin e tij, aktori shprehet i indinjuar për veprimin e Luizit, duke e akuzuar atë se po përpiqet me çdo kusht të thyejë rekorde për shkak të egos.
Ai bën një krahasim mes rrugëtimit të tij “nga hiçi” dhe pa mbështetje financiare, kundrejt mekanizmit të marketingut që zotëron artisti tjetër, duke zbuluar gjithashtu se vetëm pak javë më parë kishin komunikuar normalisht.
“Marr një bllok nga një që po bën film, e përmenda pa të keq njëherë, mu kthyen fansat e atij. Është njëri që do të thyejë rekordet e ‘Fallit’, po bën çmos që të thyejë rekordet e ‘Fallit’. I uroj sukses vetëm që të plotësojë atë ego, se ka ego të sëmurë. Si nuk i vjen turp nga vetja që të krahasojë potencialin e tij me mua, se unë jam individ nga hiçi, pa lekë, pa marketing. Më bëri bllok pa arsye, ndërkohë që 3 javë para u rastisëm e folëm”, është shprehur ai.
Kjo përplasje virtuale ka rikthyer vëmendjen te raportet e ndryshueshme mes personazheve publike, shpesh të ndikuara nga presioni i rrjeteve sociale.





