Kryeministri Edi Rama në hapje në Asamblesë të Partisë Socialiste lajmëroi hapjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës që të vijonë me zbatimin e dokumentacionit për shkarkimin nga detyra të kryetarit aktual, Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.
“Pas 7 muajsh Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie në krye të detyrës, asnjë të dënuar nga drejtësia lidhur me detyrë. Kemi një kryetar të zgjedhur 3 herë, që i është mohuar drejta e gjykimit në liri. I është bërë një gjyq i gjatë, madje në shkelje hapur të ligjit dhe çdo zakoni, janë nxjerrë nga brenda edhe biseda me familjare nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial jo e jo.
Është shkelja më e hapur më brutale në shpërdorim total të detyrës nga ana e tyre që duhet të mbajnë në kontroll materialet hetimore. Askush nuk di ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori dhe asnjë zëvendës kryetar i pavotuar, nuk mund të ketë legjitimitetin për të udhëhequr për një kohë të gjatë, 2 vite Bashkinë e kryeqytetit. Tirana ka punë të mëdha, unë nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë, përkundrazi e falënderoj.
Sot duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar në bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesit tanë në Këshillin Bashkiak duhet të vendosen në lëvizje mekanizmin e shkarkimit të kryetarit, pavarësisht se kuadri ligjor lë për të dëshiruar në rastin kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë se është i penguar në paraburgosje. Nuk është një propozim që e bëj me zemër të lehtë, por Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset si një trup pa kokë”, tha Edi Rama