Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me udhëtimin tragjik të Diogo Jotës,
futbollistit të Liverpoolit, i cili humbi jetën së bashku me vëllain e tij, André Silva, në një aksident të rëndë automobilistik në Spanjë.
Sipas raportimeve nga Givemesport dhe burimeve të CNN Portugali, Jota ishte këshilluar nga mjekët të shmangte udhëtimet me aeroplan, pasi kishte kryer një operacion të kohëve të fundit në mushkëri.
Mjekët i kishin rekomanduar pushim dhe shmangie të presioneve të larta atmosferike që përfshijnë fluturimet ajrore.
Pikërisht për këtë arsye, Jota kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë drejt Santanderit, ku pritej të kapte një traget.
Gjatë rrugës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes, makina tip Lamborghini ku ndodhej ai me vëllain e tij pësoi një defekt – një nga gomat shpërtheu gjatë një parakalimi në autostradën A-52, në veri-perëndim të Spanjës.
Mjeti doli nga rruga, u përplas dhe përfundoi në flakë, duke mos u lënë mundësi të shpëtonin. Autoritetet konfirmuan se identifikimi i trupave u bë vetëm nëpërmjet targës së automjetit, pasi gjithçka ishte shkrumbuar nga zjarri.
Lajmi për ndalimin e udhëtimeve ajrore dhe zgjedhjen për të udhëtuar me makinë e bën edhe më të dhimbshme tragjedinë, duke nënvizuar se vendimi për të shmangur rrezikun për shëndetin kishte përfunduar në një fatkeqësi të paparashikuar. Hetimet mbi aksidentin vijojnë ende.