Tre fëmijë, më i madhi 10 vjeç, më i vogli tre dhe një i tretë 7 vjeç u dërguan pasditen e sotme nga familjarët në Pediatrinë e Spitalit të Korçës në gjendje të rënduar shëndetësore.
Policia konfirmoi se rreth orës 18:15, në Pediatrinë e Spitalit të Korçës janë dërguar nga familjarët për të marrë ndihmë mjekësore 3 fëmijë, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç.
Sipas deklarimeve të familjarëve, dyshohet se fëmijët kanë konsumuar disa karamele, të cilat i kanë gjetur në rrugë, pranë një koshi mbeturinash.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Hetimet sugjerojnë se karamelet ishin me përbërje lënde narkotike. Është e paqartë përse ato gjendeshin në anë të rrugës, afër një kazani plehrash.
Fëmijët i janë nënshtruar terapisë mjekësore. Vajza 10 vjeç është me parametra të stabilizuar ndërsa vajzat 3 dhe 7 vjeç janë në repartin e reanimacionit.