Hilsn

Mësoi dhe edukoi breza me rradhë, humb jetën mësuesi i njohur shqiptar!

Luan Dino, mësues i përkushtuar dhe personalitet i spikatur i arsimit në Përmet, është ndarë nga jeta në moshën 88 vjeçare. Zemra e tij pushoi së rrahuri dje, më 11 Shkurt 2026, duke lënë pas dhimbje e trishtim te familja, miqtë dhe kolegët e tij të shumtë.

Sot, intelektuali i madh, eruditi, poligloti, gjuhëtari dhe historiani i komunitetit egjiptian, Luan Dino është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e qytetit të Përmetit.

Ai i shërbeu për afro 35 vite me dashuri dhe profesionalizëm arsimit në rrethin e Përmetit, si mësues dhe drejtues i Drejtorisë Arsimore.

Gjithashtu, kontributi i tij në fushën e gjuhës shqipe ishte i çmuar, si delegat dhe firmëtar i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), si dhe bashkëpunëtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave.

“Përmeti humbi një intelektual të rrallë, një mësues që la gjurmë në breza. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe komunitetit arsimor. U prehtë në paqe”, shkruan kryetarja e bashkisë, Alma Hoxha.

Profesor Luan Dino ka hulumtuar shumë dhe për historinë e etnisë egjiptiane dhe ka vërtetuar ekzistencën e këtij komuniteti me shekuj, në Shqipëri dhe në Ballkan. Kontributi i tij në marrjen e statusit të këtij minoriteti në vendin tonë ka qenë thelbësor.

Zemra e gjuhëtarit pushoi se rrahuri në Përmetin e trëndafilave, atje ku lindi, u rrit dhe u formua me dije, kulturë, moral e dinjitet. Te Luan Dino spikaste ndjenja e dashurisë, gjuha e ëmbël dhe urtësia, si filozofi pas së cilës profesori dinte të ndërtonte ura miqësie.