Pas publikimit të pamjeve në rrjet, ku disa dasmorë shiheshin duke kërcyer në Unazën e Madhe me makinat e ndaluara, Policia e Tiranës ka reaguar dhe ka nisur hetimet.
Dy shtetas, E.D., 36 vjeç, dhe D.M., 22 vjeçe, po procedohen penalisht në gjendje të lirë, ndërsa Xh.A., 28 vjeç, është shpallur në kërkim.
Policia tha se po vijojnë hetimet edhe për identifikimin e katër personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, si dhe për gjetjen e automjeteve të përdorura, që dyshohet se janë marrë me qira.
Materialet janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa autoritetet theksojnë se përveç gjobave, personat që bllokojnë qarkullimin rrugor rrezikojnë deri në 3 vite burg.
Ngjarje të tilla, të përsëritura shpesh gjatë ceremonive martesore, vijojnë të shkaktojnë trafik dhe shqetësim për qytetarët, duke rrezikuar edhe sigurinë publike.