Një konflikt për motive të dobëta mes dy drejtuesve të automjeteve përfundoi në tragjedi gjatë orëve të para të mëngjesit në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë.
28-vjeçari Andi Vokri dyshohet se ka goditur disa herë me çekiç në kokë dhe në trup 57-vjeçarin Petrit Ndou, i cili fatkeqësisht si pasojë e plagëve humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Në dëshminë e dhënë në komisariat, i riu ka deklaruar se ngjarja ka qenë një konflikt i çastit dhe se situata i ka dalë nga kontrolli, duke theksuar se nuk ka pasur qëllim vrasjen. Megjithatë, në deklarime të tjera ai ka mohuar autorësinë e plotë të ngjarjes, çka mbetet objekt i hetimeve të mëtejshme.

“Nuk doja ta vrisja, ishte konflikt i çastit dhe situata më doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë në Komisariat Vokri.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:40, pranë mbikalimit të fshatit Bushnesh, ku pas një përplasjeje të lehtë mes mjeteve, dy drejtuesit janë përfshirë fillimisht në një debat verbal me sharje dhe fyerje. Sipas hetimeve paraprake, situata ka agravuar brenda pak minutash, duke kaluar nga konflikti verbal në dhunë fizike.
Andi Vokri, dyshohet se e ka goditur disa herë me çekiç në kokë dhe trup shtetasin Petrit Ndou. Sipas hetuesve mësohet se çekiçi, ndodhej në automjetin e autorit.
Dëshmitare okulare e gjithë ngjarjes ka qenë bashkëshortja e viktimës, e cila ka rrëfyer para hetuesve se konflikti nisi pas gërvishtjes së automjeteve dhe se bashkëshorti i saj u sulmua brutalisht me çekiç nga i riu, pa pasur mundësi të mbrohej.
Nga të dhënat e deritanishme mësohet se 28-vjeçari ka qenë në automjet së bashku me dy persona të tjerë, nëna dhe bashkëshortja, të cilat kanë deklaruar se janë përpjekur ta ndalojnë, por nuk kanë mundur të shmangin tragjedinë. Burime zyrtare bëjnë me dije se autori dyshohet se ndodhej në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes.





