Shkodra humbet bilbilin e muzikës, ose këngëtarin e fundit të ahengut shkodran, një traditë e vjetër qytetare.
Agim Molla, mbrojtës i traditës dhe artit shkodran, ka humbur jetën dhe për këtë humbje ka reaguar gjithashtu kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, i cili e ka vlerësuar atë edhe si “ashiku i muzikës tradicionale”.
“U shua simboli i ahengut shkodran! Me interpretimin e tij të veçantë, Agim Molla u bë pjesë e gëzimeve të shumë familjeve shkodrane, duke mbetur në kujtesë si ashiku i muzikës sonë tradicionale. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve”, shprehet Beci me një postim në Facebook.
Për këtë lajm të trishtë mësohet se këngëtari Agim Molla ka mbyllur sytë mbrëmjen e djeshme, në Spitalin e Shkodrës, ku ndodhej i shtruar në gjendje të rëndë.
Agim Molla njihej si një artist dhe rojtar i folklorit, një mbrojtës i këngës së vjetër shkodrane.