Mbrëmja e parë e “Big Brother VIP Albania 5” nuk solli vetëm festë dhe banorë të rinj, por edhe një moment heshtjeje dhe dhimbjeje për një vend që mbeti bosh.
Spektakli i bëri një homazh prekës këngëtarit të dashur Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta tragjikisht më 26 nëntor, vetëm pak javë para se të bëhej pjesë e shtëpisë më të famshme.
Ky moment ka rihapur plagën për bashkëshorten e tij, Selvije Jao, e cila përmes një reagimi rrëqethës ka zbuluar bisedën e fundit me Shpatin lidhur me hyrjen në format. Ajo tregon se preokupimi i tij i vetëm nuk ishte loja, por familja.
“Kur Shpati mendonte të hynte në Big Brother, më pyeti: ‘Do mundesh ta përballosh mungesën time dhe të kujdesesh e vetme për Roelin, derisa unë të jem në Big?’”, shkruan Selvije. Përgjigjja e saj asokohe ishte plot optimizëm: “Patjetër… do të të kem 24/7 para syve.”
Sot, ajo fjalë “mungesë” ka marrë një kuptim tragjik. Selvia rrëfen se deri në momentet e fundit kishte një shpresë të pavetëdijshme se gjithçka ishte thjesht një vonesë dhe ai do të shfaqej në ekran.
“Unë prita deri në këto momente. Prita që të hysh në Big… Roeli rritet pa dorën tënde dhe unë mësoj çdo ditë të jetoj me një dhimbje që nuk mësohet kurrë të shuhet,” përfundon mesazhi i saj, duke prekur zemrat e të gjithë publikut.






