Hilsn

‘Martojë vajzën, jam i lumtur…’ Ja cfarë tha Astrit Kalaja pak orë para ikjes nga kjo botë

Vrasja makabre e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, ka tronditur thellë opinionin publik dhe gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare. Ngjarja e rëndë, e ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës, ka shkaktuar dhimbje, zemërim dhe tronditje të thellë te kolegët dhe familjarët e tij.

Ndërkohë, janë zbardhur detaje prekëse nga momentet e fundit të jetës së gjyqtarit. Një koleg i tij, gjithashtu gjyqtar, ka rrëfyer për mediat bisedën e fundit që kishte pasur me Kalajën vetëm pak orë para tragjedisë.

“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë,” – më ka thënë, i gëzuar, vetëm pak orë para se të ndodhte tragjedia,” – ka treguar gjyqtari mes lotësh.

Këto fjalë të fundit kanë prekur thellë të gjithë ata që e njihnin. Sot, ato mbeten dëshmia më e dhimbshme e një njeriu që humbi jetën në mënyrën më të padrejtë, pikërisht në vendin ku duhej të mbizotëronte drejtësia.

Ndërkohë, pritet që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të gjyqtarit Astrit Kalaja të zhvillohet të mërkurën, me nderime shtetërore, si një akt respekti për figurën e tij.

Burime pranë institucioneve gjyqësore bëjnë me dije se në ceremoni do të marrin pjesë personalitete të larta të drejtësisë, politikës dhe qytetarë të shumtë që duan t’i japin lamtumirën.

×