Humb jetën një grua 44-vjeçare në Zall Bastar, dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të martë në fshatin Selitë-Mal, në zonën e Zall Bastarit, ku një grua ka humbur jetën në rrethana tragjike.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, dyshohet se shtetasja B. P., rreth 44 vjeçe, gjatë tentativës për të kaluar lumin, është marrë nga rrjedha e ujit dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Trupi i pajetë i 44-vjeçares është gjetur më pas dhe është nxjerrë nga lumi, raporton noa.al.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, i cili po kryen veprimet e nevojshme për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
Autoritetet po vijojnë hetimet, ndërsa pritet më shumë informacion zyrtar në vijim. /noa.al





