Mbrëmja e sotme e “Big Brother VIP Kosova 4” ka nisur me tensione të jashtëzakonshme, ku tema kryesore e diskutimit ishte sjellja e banoreve ndaj 18-vjeçares Elijona.
Gjatë spektaklit “Prime”, produksioni transmetoi një klip përmbledhës që tregonte presionin e vazhdueshëm që Alba Pollozhani dhe Benita kishin ushtruar ndaj Elijonës gjatë javës, sjellje e cila nga publiku është perceptuar gjerësisht si bullizim.
Menjëherë pas videos, situata doli jashtë kontrollit. Alba Pollozhani reagoi ashpër ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, duke akuzuar produksionin për manipulim të imazhit të saj.
“Tregoni videon deri fund, mos më nxirrni si bullizuese. Jam e gatshme sot të dal nga shtëpia. E keni montuar klipin në të keqen time, po ma denigroni imazhin!” bërtiti ajo.
Debati u ashpërsua kur moderatori Hamiti u përpoq ta qetësonte: “Alba pusho… Ajo çfarë ke bërë nuk justifikohet. Nëse ke fytyrë, qëndron brenda dhe diskuton si e rritur aty. Nuk ta jap fjalën nëse bërtet. Nëse mendon që sulmi është mbrojtje je gabim.”
Por Alba nuk u tërhoq, duke kërkuar largimin e menjëhershëm: “Kërkoj tërheqjen nga Big Brother 4. Sistem i fëlliqtë. E dua arushin pasi po largohem, kam nevojë për të.”
Ajo refuzoi të shkonte në dhomën e rrëfimit pa arushin e saj prej pelushi. Ndryshe nga ajo, Benita kërkoi falje publike për sjelljen.
Situata mbetet e tensionuar, me Albën që kërcënon me lënien e lojës.





