Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me sherrin e dhunshëm të ndodhur mbrëmjen e djeshme në një hotel në Vlorë, ku nënkomisari Ardian Isufi dhe shoku i tij Leart Bimo, dhunuan me shuplaka dhe grushte kamarierin 18-vjeçar vetëm sepse ai i dërgoi një shishe ujë më tepër se porosia.
Rama thotë se Ardian Isufi pasi të dalë nga spitali nuk duhet të kthehet më në strukturat e Policisë së Shtetit, por duhet që t’i dorëzohet drejtësisë.
“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali,” shkruan kryeministri ndër të tjera.
Përmendim se Ardian Isufi ndodhet në spitalin pasi pronari i hotelit Vasil Bedinaj iu kundërpërgjigj dhunës për të mbrojtur kamarierin e tij.
Bedinaj ka qenë edhe më parë i përfshirë në sherre të dhunshme, ku një vit më parë qëlloi në fytyrë një qytetar që u ankua për hapësirat publike.
Pas ngjarjes që ka trazuar rrjetin, drejtuesi i Policisë Ilir Proda, reagoi duke bërë vetëm pezullim të përkohshëm deri në përfundim të hetimeve, të nënkomisarit Ardian Isufi.