Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në autostradën Durrës-Tiranë, ku një mjet Volkswagen Golf 6 është përplasur me trafikndarësen, e cila ka hyrë në pjesën e përparme, deri pranë sediljeve.
Fatmirësisht, shoferja ka shpëtuar pa lëndime, por ngjarja që mund të kishte përfunduar në një tragjedi të rëndë ka ngritur shqetësim për sigurinë e këtij segmenti që prej muajsh i është nënshtruar rikonstruksionit.
Pamjet janë publikuar nga portali “JOQ Albania” dhe dëshmitarët kanë raportuar se barriera mbrojtëse është lënë në gjysmë nga kompania ndërtuese Elmazaj, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve.
Autostrada Tiranë-Durrës dhe drejtimi i kundërt, Durrës-Tiranë, i janë nënshtruar prej muajsh rikonstruksionit për rehabilitim dhe zgjerim me katër korsi në secilën anë. Lëvizja e mjeteve është zhvendosur në segmentin provizor, ndërsa gjurma ekzistuese sapo ka nisur rehabilitimin.
Mirëpo, siç shihet dhe nga pamjet, barrierat mbrojtëse metalike në krahun ku është zhvendosur përkohësisht lëvizja janë lënë përgjysmë dhe sot ka ndodhur ky aksident, i cili fatmirësisht nuk ka viktima apo persona të lënduar.