Imazhi i familjes së lumtur dhe harmonisë që aktorja Rudina Dembacaj ekspozon vazhdimisht në rrjetet sociale, është rrëzuar këtë të enjte pas një reagimi të papritur dhe të drejtpërdrejtë nga vajza e bashkëshortit të saj.
Mara Frroku, vajza e ish-deputetit Mark Frroku, i është drejtuar redaksisë së “Newsbomb.al” për të sjellë një panoramë krejt tjetër nga ajo që shfaqet në Instagram, duke e akuzuar hapur aktoren për hipokrizi dhe përçarje të familjes.
Sipas Marës, realiteti brenda mureve të shtëpisë qëndron larg imazhit të harmonisë që Rudina reklamon.
Ajo thekson se ndjen dhimbje kur dëgjon deklaratat e Dembacajt, e cila shpesh shprehet se fëmijët e Markut i konsideron si “fëmijët e vet”. Për Marën, Rudina është personi që po krijon barriera mes tre fëmijëve (Mara, Erta dhe Nardi) dhe babait të tyre.
Në letrën e saj, Mara nuk i ka kursyer fjalët, duke i qëndruar besnike realitetit të saj të dhimbshëm. Ajo shprehet tekstualisht:
“Prindëria nuk provohet me deklarata, por me sjellje. Nuk është humane të thuash “janë të mitë” dhe njëkohësisht të ndash fëmijët nga i vetmi prind qe kane apo nga shtëpia e tyre. Familja mbahet me prani dhe përfshirje, jo me kontroll.”
Ajo vijon më tej duke goditur imazhin publik të aktores:
“Sot mjafton të veshësh petkun e familjes për kamera dhe të quhesh i madh; roje porte në shtëpi, protagonist në media. Por fasadat janë klishe, dhe veprimet jo humane nuk duhen duartrokitur duhen mbajtur përgjegjësi.”
Një element që tregon qartë thyerjen e madhe në këtë familje është mënyra se si Mara e ka mbyllur deklaratën e saj. Ajo ka zgjedhur të firmosë si “Mara Hanvera Frroku”, duke vendosur emrin e nënës së saj të ndjerë, dhe jo të babait.
Ky reagim vjen në kontrast të plotë me intervistat e mëparshme të Rudina Dembacajt, e cila në shtator të vitit 2023, deklaronte e përlotur në “Top Channel” se nuk e imagjinonte dot jetën pa fëmijët e Markut dhe se përpiqej të ishte në pozicionin e tyre.





