Hilsn

Dhimbje dhe humbje e madhe! Mbyll sytë përgjithmonë gjyqtari shumë i njohur shqiptar

Është ndarë nga jeta për arsye shëndetësore në moshën 70 vjeçare ish gjyqtari, ish drejtues i gjykatës së Kurbinit Ded Miri.

Është një prej gjyqtarëve të rinj Olti Skrame që ka ndarë për miqtë e tij lajmin e largimit nga jeta të ish-gjyqtarit, duke bërë homazh për jetën e tij, por edhe për mënyrën sesi ka pritur magjistratët e rinj.

Shkruan Olti Skrame:

Sot është ndarë nga jeta, për arsye shëndetësore, Ded Miri, ish-gjyqtar dhe ish-drejtues gjykate!

Jeta e tij është për libër. Lindur, më 5 mars 1956, në Fushë-Kuqe, Kurbin, ka qenë banues i përhershëm i asaj zone.

I vetmi mashkull i mbijetuar i familjes së tij, nga shfarosja e kryer nga komunistët, të cilët, pavarësisht angazhimit në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, pas Luftës, vranë 11 anëtarë të familjes Miri, për shkaqe politike.

Pas dënimit “vetëm” me burgim në Burgun e Spaçit, e kalimit të tetë viteve në këtë burg, si dhe të pesë viteve, me punë të detyruar, në minierën pranë tij, u sëmur me silikozë, por mbijetoi, si pak të dënuar të tjerë.

Pas viteve ‘90, fillimisht kaloi disa vite në polici, edhe duke u plagosur me disa goditje me armë zjarri, gjatë ushtrimit të detyrës. Nga viti 1994 ka ushtruar, fillimisht, detyrën e ndihmës-gjyqtarit, e mandej atë të gjyqtarit, deri në mars 2023, kur me mbushjen e moshës 67-vjeçare, në dallim nga të tjerë, nuk u ngul me thonj pas karriges.

Me atë rast, më bëri nderin e dhënies së togës së tij, të rreth 30 viteve karrierë gjyqësore!

Kur nisa detyrën në korrik 2019, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, ishte drejtues i gjykatës në pozitën e zv. kryetarit. Më ka pritur shumë mirë, duke më garantuar efektivisht pavarësi dhe mundësi për të ndikuar në përmirësimin e imazhit të gjykatës, bashkë me kolegët dhe administratën.

Ndër cilësitë e shumta pozitive që kishte ishin mendja e hapur në aspektin profesional, qënia (siç thoshte ai) “njeri, përpara se gjyqtar”, aftësia për të njohur njerëzit dhe sidomos vullneti dhe rezistenca.