Një djalë 12-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht pas pjesëmarrjes në një trend viral të rrjeteve sociale të quajtur
‘Chroming’ (thithja e gazeve), duke shtuar shqetësimet për rreziqet e sfidave që qarkullojnë në TikTok.
Oliver Gorman u gjet pa ndjenja në dhomën e gjumit në shtëpinë e tij në Hyde, Mbretëri e Madhe.
Ai u dërgua në spital, ku më pas humbi jetën.
Ekspertiza pas vdekjes zbuloi se shkak i vdekjes ishte thithja e gazit butan, një përbërës që gjendet në deodorantët aerosol. Në dhomën e tij u gjetën disa shishe bosh.
Gjatë seancës së Koronerit në Gjykatën e Mançesterit, Andrew Bridgman shprehu “shqetësim madhor” për përhapjen e këtyre sfidave në TikTok.
Koroneri akuzoi platformën se po i “shpërndan këto sfida”, duke i bërë ato “lehtësisht të aksesueshme” për të rinjtë.
Për këtë arsye, ai kërkoi që të vendosen etiketime paralajmëruese më të mira dhe kufizime moshe për blerjen e deodorantëve aerosol.
Nëna e Oliverit, Clare Gillespie, e përshkroi djalin si “të ëmbël” dhe “të dashur”.
Ajo tha se nuk beson që ai e bëri këtë për t’i dhënë fund jetës, por se “diçka shkoi tmerrësisht gabim”.
Ms. Gillespie theksoi se: “Çdo djalë adoleshent merr një set Lynx [deodorantësh] në çorape për Krishtlindje, kjo është ajo që më tremb.”
Familja ka nisur një fushatë sensibilizimi të quajtur “Oliver’s Awareness” kundër bullizmit dhe rreziqeve
të trend-eve të rrjeteve sociale. Koroneri e mbylli çështjen me përfundimin e fatkeqësisë.






