Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Japoni,
ku një djalë 5-vjeçar ka humbur jetën. Sipas mediave të huaja, i mituri ndërroi jetë gjatë pushimeve familjare, pasi i ngeci dora në një shkallë lëvizëse në një resort skish në Hokkaido.
Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, më 28 dhjetor, në resortin e skive Asarigawa Onsen, në qytetin Otaru.
Sipas autoriteteve, fëmija, i identifikuar si Hinata Goto, po përgatitej të zbriste nga shkalla lëvizëse kur u rrëzua dhe dora e tij e djathtë u bllokua në shkallët që lëviznin.
Shkallët ishin të pajisura me një mekanizëm sigurie, i cili normalisht ndalon funksionimin në rast bllokimi,
por ky mekanizëm nuk u aktivizua. Shkalla u ndal vetëm pasi nëna e fëmijës shtypi butonin e ndalimit emergjent.
Ekipet e shpëtimit punuan për rreth 40 minuta për të çmontuar një pjesë të pajisjes dhe për ta liruar fëmijën, i cili ishte pa ndjenja.
Ai u transportua në spital, ku më vonë u shpall i vdekur.
Drejtuesit e resortit deklaruan se mekanizmi i sigurisë ishte çaktivizuar më herët gjatë ditës.
Policia ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë profesionale në ndërtimin, mirëmbajtjen ose funksionimin e pajisjes. Shkalla lëvizëse, e instaluar rreth gjashtë vjet më parë, është rreth 30 metra e gjatë dhe 60 centimetra e gjerë, pa parmakë, dhe shërben për të lidhur zonën e parkimit me pistat e skive.
Mediat lokale raportojnë se edhe vizitorë të tjerë janë penguar më parë gjatë përdorimit të së njëjtës pajisje.





