Kryeministri Edi Rama ka shkruar pak minuta më parë për hapjen e godinës së re të parkimit në Durrës, e cila sipas tij do të ofrojë 400 vende parkimi, për të gjithë drejtuesit e mjeteve në qytetin bregdetar dhe turistët.
Sipas tij, godina e re e parkimit publik është me energji të vetëprodhuar nga dielli dhe ka funksione të ndërthurura midis hapësirave për parkim, për zyra dhe aktiviteteve të hapura social-kulturore.
“Hapet në Durrës, godina e re e parkimit publik me energji të vetëprodhuar nga dielli. Një tjetër vepër e bukur publike me rreth 400 vende parkimi dhe funksione të ndërthurura midis hapësirave për parkim, për zyra dhe aktiviteteve të hapura social-kulturore”, shkruan ai.
Ky reagim i Edi Ramës në rrjetet sociale vjen në një moment kur e gjithë vëmendja e opinionit publik është te Kryeministria.
Prej më shumë se dy orësh, atje ndodhet zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ka shkuar në zyrën e Ramës menjëherë sapo mediat raportuan se ajo është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.






