Një aksident rrugor ka ndodhur sot pasdite në autostradën Lushnjë–Fier, pranë zonës së njohur si “Vajkan”.
Një automjet tip Benz ka humbur kontrollin në rrethana ende të paqarta, duke dalë nga rruga dhe përfunduar i përmbysur në një kanal anësor.
Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët që ndodheshin në automjet kanë shpëtuar pa lëndime serioze.
Sipas burimeve paraprake, ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe nuk kanë pësuar dëmtime të rënda.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë rrugore dhe një grup hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Dyshohet se humbja e kontrollit mund të jetë shkaktuar nga shpejtësia ose lagështia në rrugë, por konkluzionet priten pas hetimeve të mëtejshme.