Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Maltë, ku një vajzë 13-vjeçare u mbyt në det teksa ndodhej me pushime së bashku me familjen e saj.
Mediat e huaja raportojnë se trupi i pajetë i 13-vjeçares u gjet këtë të mërkurë në mëngjes, pas tre ditësh kërkimesh intensive, në ujërat e detit të “Paradise Bay”, nga zhytësit e Mbrojtjes Civile.
Sipas raportimeve, një dallgë e fuqishme e tërhoqi vajzën në det, ndërsa babai dhe vëllai i saj u përplasën pas murit mbrojtës.
Babai mbeti i lënduar gjatë përpjekjeve për ta shpëtuar të bijën. Menjëherë pas incidentit, autoritetet malteze nisën një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan forcat e ushtrisë, mbrojtja civile dhe policia.
Autoritetet kanë nisur një hetim për rrethanat e ngjarjes, ndërsa familjes po i ofrohet ndihmë psikologjike.
Ndërkohë, institucionet malteze u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të shmangin zonat e rrezikshme bregdetare gjatë motit të keq dhe detit të trazuar.





