Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e sotëm komunitetin në Precenicco, provincë e Udines në Itali, ku Alice Morsanutto, një vajzë 17-vjeçare, humbi jetën pasi u përplas nga një makinë vetëm 200 metra larg banesës, teksa po shkonte drejt stacionit të autobusit për të shkuar në shkollë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 06:30, pranë vijave të bardha, në një rrugë që vajza e kalonte çdo ditë. Shoferi i mjetit, një i ri, ndaloi menjëherë për të dhënë ndihmën e parë dhe njoftoi shërbimet e emergjencës. Megjithatë, përpjekjet e mjekëve dhe ekipit të helikopterit për ta reanimuar rezultuan të pasuksesshme.
I ati i Alices, i alarmuar nga sirenat, zbriti menjëherë në rrugë dhe u përball me pamjen tronditëse të së bijës, e shtrirë pa ndjenja në asfalt. Ndërkohë, vëllai binjak i Alices kishte marrë autobusin pak çaste më parë, pa e ditur tragjedinë që kishte ndodhur pas tij.
Alice ishte nxënëse në liceun artistik “Sello” në Udine, e njohur si vajzë e qetë dhe shumë e përkushtuar ndaj studimeve. Vdekja e saj ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe komunitetin lokal dhe shkollën ku ajo mësonte
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar nëse shoferi ka pasur përgjegjësi ligjore në ngjarje.