62-vjeçarja Lorena Venier, ka pranuar para prokurorit se vrau dhe copëtoi djalin e saj, Alessandro Venier, së bashku me bashkëshorten e tij, Marilyn Castro Monsalvo, 30 vjeçe.
Sipas mediave italiane avokati i saj, Giovanni De Nardo, konfirmoi se klientja e tij ka pranuar krimin, duke qenë dukshëm e tronditur nga egërsia e aktit.
“Isha unë dhe di që ajo që bëra është e tmerrshme”, tha nëna 62-vjeçare para prokurorit. Autoritetet italiane bëjnë me dije se krimi u krye në mbrëmjen e së premtes, më 25 korrik, në banesën e familjes dhe trupi i coptuar u fsheh në një kosh në bodrumin e shtëpisë.
Ndërkohë, është shtyrë deklarimi i Marilyn Castro, e cila akuzohet gjithashtu për përfshirje në vrasje.
Avokatja e saj, Federica Tosel, deklaroi se ende nuk ka pasur qasje në dosjen e çështjes, ndërsa klientja e saj është në gjendje psikologjike të rënduar dhe ka nevojë për mbështetje, veçanërisht për shkak të foshnjës së saj gjashtëmuajshe, e cila tani është në kujdesin e shërbimeve sociale.
Megjithatë ende nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivi i ngjarjes. Por, sipas të dhënave, atë mbrëmje kishte pasur edhe një përplasje tjetër midis dy grave dhe Aleksandros, lidhur me mungesën e përkushtimit të tij ndaj detyrave shtëpiake dhe tensionet në familje.
Trupi i Alessandro-s u gjet i copëtuar brenda një koshi plastik në depo të shtëpisë, i mbuluar me gëlqere për të parandaluar erën e keqe. Shkaqet e sakta të vdekjes dhe kronologjia e ngjarjeve do të përcaktohen nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe analizat toksikologjike.