Farmacisti i nderuar Kolec Daja, një prej figurave më të përkushtuara të farmacisë shqiptare ka ndërruar jetë këtë të mërkurë, 6 gusht.
Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 77-vjeçare duke lënë në dhimbje familjarët, kolegët dhe miqtë e shumtë të cilët iu bashkuan gjatë jetës së tij.
Një prej tyre ka qenë edhe Tritan Shehu, deputeti i Partisë Demokratike, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” u ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Dajas.
Shehu e përshkruan farmacistin si një njeri të rrallë, profesionist i cili e deshi aq shumë profesionin e tij sa deri në ditën e fundit të jetës nuk u largua nga ajo që dinte të bënte më së miri, t’i shpërbente pacientëve.
“Na la Kolec Daja! Duke ndjere dhimbje e boshllek te madh po shkruaj pak rreshta per mikun, bashkepuntorin, farmacistin, njeriun e familjarin e mrekullueshem.
Nje specialist me vlera te medha profesionale, etike, njerezore ne jete e profesion. Nje njeri qe megjithe problemet e medha me shendetin, nuk u largua nga ai profesion, qe e deshte aq shume, duke ja dedikuar te gjitha perpjekjet e fuqite e tij.
Ngushellimet me te sinqerta familjes, kolegeve, miqve, farmaceutikes ne terresi. Ta kujtojme gjithemone me respekt te vecante”, shkruan Shehu.
Kolec Daja lindi në Shkodër në vitin 1948 dhe u diplomua në degën e Farmacisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1971. Ai shërbeu për më shumë se pesë dekada me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për profesionin.
Nga Puka në Ministrinë e Shëndetësisë, nga drejtimi i Fu-Farmës në ngritjen e farmacisë së tij në Tiranë, ai mbeti gjithmonë një figurë model për kolegët, familjen dhe komunitetin.
Daja ishte veçanërisht i njohur për pasionin dhe mjeshtërinë e tij në fushën e përgatitjeve galenike, duke ndjekur me rigorozitet dhe kujdes profesional të gjitha standardet farmaceutike për krijimin e preparateve të personalizuara galenike, e duke investuar vazhdimisht për të ofruar formulime të personalizuara për pacientin.