Një ngjarje tronditëse u regjistrua mëngjesin e ditës së sotme në qytetin e Durrësit ku shtetasi i identifikuar si Mikel Ndoj, qëlloi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Durrësit ka hedhur më tepër dritë lidhur me këtë krim i cili ndodhi vetëm pak minuta më parë në lagjen nr.12 të qytetit bregdetar.
56-vjeçari Mikel Ndoj, në rrethana ende të paqarta ka plagosur me thikë vajzën e tij, Xhesika Ndoj. Në momentin që ai po e qëllonte të renë, për të parandaluar tragjedinë ka ndërhyrë një kalimtar i rastit.
Si pasojë, edhe ky i fundit mbeti i plagosur dhe së bashku me 24 vjeçaren ndodhen aktualisht në spitalin e qytetit të Durrësit, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Mikel Ndoj, menjëherë pas ngjarjes u largua me shpejtësi, teksa policia është vënë në ndjekje të tij me qëllim gjetjen dhe arrestimin.
“Më datë 26.01.2026, rreth orës 10:03, shtetasi M. N., 56 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur në rrugë me mjet prerës (thikë) vajzën e tij, shtetasen Xh. N., 24 vjeçe, banuese në lagjen nr. 12, Durrës.
I plagosur ka mbetur edhe shtetasi O. M., kalimtar i rastit, i cili ka ndërhyrë në momentin që babai ka plagosur vajzën me mjet prerës (thikë). Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 56-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.





