Shtëpia e familjes Boba në lagjen e ish-Kënetës në Durrës qëndron e mbyllur.
Asnjë person nuk ndodhet aty, me përjashtim të pronares së objektit që 3 vite më parë ua kishte dhënë me qira katin e parë të ndërtesës dykatëshe e cila ndodhet fare pranë vendit të ngjarjes.
Aty, ku djali i tyre u godit me thikë disa herë nga një 14-vjeçar dhe nuk arriti të mbijetojë, duke humbur jetën 9 ditë pas ngjarjes që u regjistrua në datën 25 nëntor pas shkolle.
Asnjë nga familja Boba nuk është kthyer në banesën me qira. Edhe tek gjyshërit nga e ëma të të miturit Erion Boba nuk ka njeri.
Të gjithë janë ende në Tiranë, raporton gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi.
Paraprakisht thuhet se trupi i Erionit do të prehet në Bulqizë, atje ku familja jetonte deri para disa vitesh, por u shpërngul për një jetë më të mirë, shkollim më të mirë për 3 fëmijët e saj, dy djem dhe një vajzë në Durrës.
Erioni sot nuk është më, ndërsa krimet e përsëritura mes të miturve që në të shumtën e rasteve janë pjesë e gjuhës së urrejtjes mes tyre, janë këmbanë e fortë alarmi që shteti, shoqëria, shkolla dhe familja duhet të reagojnë dhe të veprojnë si pjesë të një të tëre për të ndryshuar situatën konfliktuale mes të miturve, për t’i edukuar dhe për t’u dhënë vëmendje e orientuar në zgjidhjen e konflikteve pa dhunë.





