Hilsn

Po kontrollonte punimet e një ure, inxhinieri bie nga lartësia dhe humb jetën!

Policia e Peqinit ka arrestuar drejtuesin teknik të një kantieri ndërtimi pas një aksidenti fatal që i mori jetën inxhinierit Guri Dashi, 42 vjeç. Viktima humbi jetën pasi ra nga lartësia gjatë kontrollit të punimeve të një ure në segmentin rrugor Lekaj–Elbasan, në fshatin Paulesh.

Arrestimi i drejtuesit teknik, 64-vjeçari E.H., u bë nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin, nën akuzën për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me kushtet e sigurisë në kantier dhe shkeljet që mund të kenë çuar në këtë tragjedi.

Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ku priten veprime të mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit dhe hetime për shkak të kushteve të punës që mund të kenë kontribuar në aksident.

×