Hilsn

E dhimbshme/ Ndërron jetë këngëtari i njohur, ja arsyeja e vd*kjes së tij

Këngëtari britanik Chris Rea, i njohur për hite të mëdha si “Driving Home for Christmas”, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare, sipas një përfaqësuesi të familjes së tij.

“Me dhimbje të madhe njoftojmë ndarjen nga jeta të Chris-it tonë të dashur. Ai u shua në mënyrë paqësore në spital, më herët sot, pas një sëmundjeje të shkurtër, i rrethuar nga familja e tij”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Chris Rea ishte një personalitet i veçantë i muzikës, duke ndërthurur me mjeshtëri elemente të blues-it, pop-it, soul-it dhe soft rock-ut, në një karrierë që përfshiu 25 albume studio.

Ndër këngët e tij më të njohura renditen “The Road to Hell”, “On the Beach”, “Josephine” dhe sigurisht “Driving Home for Christmas”, e cila është shndërruar në një nga këngët më të dashura të Krishtlindjeve në mbarë botën. Në total, ai ka shitur mbi 30 milionë albume.

Ai lindi në vitin 1951 në Middlesbrough të Anglisë, nga një baba italian dhe një nënë irlandeze. Hapat e parë në muzikë i hodhi duke punuar paralelisht në profesione të ndryshme, përfshirë edhe fabrikën e akullores së të atit. Suksesi i parë i madh erdhi në fund të viteve 1970 në SHBA, me këngën “Fool (If You Think It’s Over)”, e cila i siguroi edhe një nominim për çmimin Grammy.

Kulmi i suksesit komercial u shënua në fund të viteve 1980, kur ai fitoi popullaritet të gjerë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me disa albume që u renditën në Top 10. “Driving Home for Christmas”, ndonëse fillimisht kaloi pa shumë vëmendje, u shndërrua gradualisht në një hit të madh, duke qëndruar për vite me radhë në klasifikime dhe duke u bërë e preferuar nga publiku.

Në vitet e fundit të karrierës, Chris Rea u rikthye te rrënjët e tij blues, duke u distancuar nga tingulli më komercial. Paralelisht, ai ishte i njohur edhe për pasionin e tij për makinat dhe sportet motorike, duke marrë pjesë madje edhe në gara.

Jeta e tij u shoqërua nga probleme serioze shëndetësore. Në vitin 2001 u diagnostikua me kancer në pankreas dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa në vitin 2016 pësoi një goditje në tru.

×