Gjylymsere Kasapi, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka mbajtur një fjalim prekës gjatë Akademisë Përkujtimore të organizuar në Çair për nder të djalit të saj.
E njohur për forcën e saj si arsimtare me një karrierë të gjatë, ajo pranoi se përballë kësaj dhimbjeje fjalët e kishin humbur peshën, ndërsa u shpreh krenare për dashurinë e madhe që publiku kishte treguar për artistin.
“Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë”, tha ajo
Mes emocionesh të forta, Gjylymsere zbuloi se periudha e fundit e jetës së Shpatit kishte qenë e vështirë për të gjithë.
“Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje,” u shpreh ajo, duke kërkuar forcë për të mbajtur gjallë kujtimin e tij përmes nipërve dhe mbesave.
Ky rrëfim i sinqertë hodhi dritë mbi përjetimet e familjes para ndarjes tragjike nga jeta të këngëtarit, duke emocionuar të gjithë të pranishmit në sallë.





