Numërimi mbrapsht ka përfunduar! Nesër mbrëma, në ekranin e Top Channel, ndizen zyrtarisht dritat e shtëpisë më të vëzhguar në Shqipëri për edicionin e pestë të “Big Brother VIP”.
Moderatori Ledion Liço ka rritur maksimalisht pritshmëritë vetëm pak orë para startit, duke premtuar risi absolute.
“Do të ketë edhe gjëra që do të ndodhin për herë të parë”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se formati do të sjellë dinamika të panjohura më parë për publikun shqiptar.
Por surpriza më e madhe duket se lidhet me vetë ambientin ku do të bashkëjetojnë VIP-at. Liço bëri një deklaratë të fortë, duke e cilësuar skenografinë e këtij viti si më të mirën e realizuar ndonjëherë.
“Jam shumë entuziast për shtëpinë. Si kurrë më parë, jam i lumtur të them që kjo është shtëpia më e bukur që Big Brother ka pasur ndonjëherë, jo vetëm në edicionet VIP”, deklaroi ai.
Spektakli pritet të mbërthejë sërish miliona shqiptarë para ekranit, duke nisur një aventurë të re plot emocione dhe debate.





