Një nënë dhe vajza e saj 11-vjeçare kanë humbur jetën në një aksident tragjik në New Jersey, SHBA, pasi një emigrant ilegal, i cili drejtonte mjetin i dehur, u përplas ballë për ballë me makinën e tyre.
Ngjarja ka shkaktuar një zemërim të thellë dhe ka ndezur një debat të ashpër mbi politikat “strehuese” të shtetit. Autori i dyshuar, Raul Luna-Perez, një 43-vjeçar me kombësi meksikane që jetonte ilegalisht në SHBA, kishte një listë të gjatë precedentësh penalë, përfshirë dy arrestime për drejtim të mjetit në gjendje të dehur vetëm në katër muajt e fundit, si dhe arrestime të mëparshme për dhunë në familje dhe largim nga vendi i aksidentit.
Raul Luna-Perez, 43-vjeç
Në mbrëmjen e 26 korrikut, policia raporton se mjeti tip SUV i drejtuar nga Luna-Perez me shpejtësi të lartë, kaloi në korsinë e kundërt në Lakewood dhe u përplas me makinën tip Nissan Sentra, ku ndodheshin 42-vjeçarja Maria Santos Pleitez dhe vajza e saj, Dayanara Cortes.
Maria u vra në vend, ndërsa Dayanara, e cila ishte ulur në sediljen e përparme, ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital. Një fëmijë tjetër, shoqe e Dayanara-s, mbeti e plagosur rëndë, por gjendja e saj tashmë është stabilizuar. Luna-Perez dhe dy pasagjerët në makinën e tij pësuan vetëm lëndime të lehta.
Autori tani akuzohet për dy akuza për vrasje nga pakujdesia me automjet dhe sulm me makinë. Sipas autoriteteve, ai shfaqi shenja dehjeje në vendngjarje dhe rezultatet përfundimtare të analizave të gjakut pritet të sjellin akuza shtesë.
Tragjedia ka shkaktuar një reagim të furishëm nga administrata Trump dhe zyrtarë të emigracionit, të cilët fajësojnë politikat “strehuese” të New Jersey-t, të cilat, sipas tyre, lejuan një person me precedentë të shumtë penalë të qëndronte i lirë.
“Guvernatori Murphy dhe politikat e tij strehuese e liruan këtë kriminel serial në komunitetet e New Jersey-t,” tha Tricia McLaughlin, ndihmës-sekretare në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.
“Tani, kjo familje e pafajshme është shkatërruar nga lidershipi i tyre i dështuar.”
“Çdo krim i kryer nga një emigrant ilegal është 100% i parandalueshëm – ata nuk duhej të ishin kurrë në vendin tonë,” shtoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson.
Pavarësisht historisë së tij kriminale, Luna-Perez nuk iu dorëzua kurrë autoriteteve të emigracionit, pjesërisht falë statusit të New Jersey-t si një “shtet strehues”, një përcaktim i bërë zyrtar në vitin 2018. Kjo direktivë kufizon policinë lokale të ndajë informacion me autoritetet federale të emigracionit (ICE).
Familja ka hapur një fushatë në “GoFundMe” për të mbledhur fonde për të dërguar trupat e pajetë në El Salvador për varrim.
Luna-Perez aktualisht mbahet në burgun e Ocean County me një urdhër-ndalimi aktiv nga ICE. Megjithatë, për familjen e viktimave, dëbimi nuk mjafton. “Nuk besoj se kjo është e drejtë. Mendoj se ata duhet ta gjykojnë këtu dhe të vënë drejtësi për të këtu,” tha mbesa e viktimës.