Hilsn

Kjo qenka e vërteta? Eni Cobani zbulon arsyen e vr*sjes së Astrit Kalasë nga Shkambi

Juristja Eni Çobani ka detajuar historinë e ndërlikuar ligjore të pronës që shkaktoi vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke shpjeguar zanafillën e konfliktit dhe vargun e vendimeve që çuan në aktin ekstrem.

Gjithë ngjarja tragjike e ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja nga Elvis Shkambi, babai dhe xhaxhai i të cilit janë pronarët e kontestuar, ndodhi për shkak të vendimeve ligjore për pronësinë e një godine në Shkodër.

Në emisionin “E Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea fillimisht i shprehu ngushëllime familjes Kalaja, ndërsa pyeti Eni Çobanin se çfarë e çoi familjen Shkambi deri në këtë akt ekstrem.

Çobani filloi shpjegimin duke treguar zanafillën e problemit: “Ku fillon historia? Me këshillin bashkiak të qytetit Shkodër të vitit 1992 ku i jepen disa ambiente të Shkollës së Ulët të Ndërtimit këtyre qytetarëve të cilët banojnë akoma sot në këtë ndërtim.”

Ajo shtoi se kontrata e qirasë e lidhur atëherë ishte vetëm për “6 muaj deri në 12 muaj” por, “I kemi akoma sot, pas 33 vitesh.”

Në vijim, Çobani detajoi procesin e pronësisë:

Përpjekjet për pronësi (1994-2002): Ajo shpjegoi se në vitin 1994, gjyshi i Elvisit, Binak Shkambi Pjetraj, u njoh pronar me vërtetim të faktit juridik nga Gjykata e Shkodrës. Në vitin 1996, Komisioni i Kthimit të Pronave i njohu familjes 18 mijë e ca metra katrorë (nga 66 mijë që pretendonin). Në vitin 2002, Mark Shkambi (babai i Gjonit) fitoi përfundimisht të drejtën e parablerjes për objektet shtetërore, dhe ky vendim nuk u apelua.

Blerja dhe ekzekutimi: Në vitin 2012, Gjon Shkambi bleu godinën me çmimin “160 milionë të vjetra” nga Ministria e Financave dhe Bashkia Shkodër dhe mori certifikatën ligjore të pronarit, e cila megjithatë “nuk u vu kurrë në ekzekutim”.

Kthesa fatale (2021-2025): Vëmendja u kthye te gjyqtari Astrit Kalaja. Çobani theksoi se në vitin 2021, i ndjeri z. Astrit Kalaja si relator në Gjykatën e Apelit, rrëzoi kërkesën e Pal Shkëmbit (xhaxhait të Gjonit) dhe “nuk ka njohur përfundimisht familjen Shkëmbi” për themelin e pronës.

Kontradiktat me dokumentet: Juristja zbuloi një detaj tronditës: “Dokumentet sot të familjes Shkambi janë djegur! Janë zhdukur! Nuk gjenden!” Ajo shtoi se “Pala e banorëve të godinës” pretendon se dokumentet janë falsifikuar, ndërsa ajo vetë ka kërkuar dokumentacionin në Arkivin Qendror Shqiptar ku “nuk rezulton, nuk njihet emri Binak Shkamb Pjetraj.”

Vendimmarrja e fundit e Astrit Kalasë bëri që çështja të rikthehej sërish për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër, një situatë që, sipas Çobanit, “çoi në atë humbje logjike të një djali 30-vjeçar sikundër ishte Elvis Shkambi”.

Çobani e përmbylli shpjegimin e saj me një apel ndaj institucioneve: “o Gjon Shkambi është pronar, ose banorët janë të ligjshëm në godinën ku rrinë dhe këtë përfundim do ta japë sërish shteti!”

Ajo ngriti pyetjen e fundit: “Kemi një bashki e cila akoma sot pretendon që ka njerëz në një godinë shtetërore, duhet t’u marrë qira dhe unë nuk e di ata njerëz paguajnë qira apo jo.”

×