Një lajm i trishtë ka ardhur mëngjesin e kësaj të mërkure! Këngëtari Shpat Kasapi, me hitet e të cilit janë rritur breza, ka mbyllur sytë përgjithmonë në tokën italiane. Burime për mediat maqedonase bëjnë me dije se ai ka pësuar një arrest kardiak duke gjetur vdekjen e menjëhershme në moshën 40-vjeçare.
Mësohet se ai ishte në një koncert në Bolonja,por u nda nga jeta pasi zemra e tij pushoi së rrahuri në skenë, në vendin që e deshte aq shumë dhe që i kushtoi gjithë jetën e tij.
Pas vdekjes në reagimin e bërë nga bashkëshortja e tij është mësuar se ai është ndarë nga jeta në krahët e saj, momentin që ata kishin më shumë nevojë. Teksa më tej ajo ndan se ishin shumë të lumtur, pasi më në fund dokumentat e djalit të tyre Roelit po bëheshin gati për ta dërguar sa më shpejtë tek logopedët më të mirë në Itali.
Artisti shumë i dashur për muzikën shqiptare po ashtu ishte konfirmuar si pjesë e edicionit të ardhshëm të reality showt “Big Brother Vip Albania 5”, ka bërë me dije Top Channel, por shumë pak para nisjes së spektaklit ai “u shua”.
Në lidhje me ndarjen nga jeta të artistit të madh e të dashur, ka patur reagime nga figura publike dhe bota e showbizit. Ku një ndër to ka qënë moderatorja Arbana Osmani e cila ka ndarë një foto të Shpat Kasapit në Instastory të cilën e ka shoqëruar me shkrimin: “Shumë i dhimbshëm lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të Shpat Kasapit, me të cilin kam patur fatin të punoj më shumë se 20 vite më parë në Top Fest dhe ta ftoj në skenë me dhjetra herë. Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera që na ke dhuruar Shpat. U prehsh në paqe.”
Po ashtu edhe modelja dhe moderatorja Liberta Spahiu, ka shprehur ngushëllimet: “çfarë lajmi i trishtë, e pabesueshme! U prehsh në paqe Shpat! Ngushëllime familjes.”
Ndërsa nga ana e figurave politike ka patur një reagim është bërë nga zëvëndëskryeministri i Maqedonisë së Veriut i cili ka shkruar në “Facebook”: “Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij.Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe.”
Kush ishte Shpat Kasapi?
Një ndër emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. Shpati ishte një djalosh dhe artist guximtar që arriti të shënonte me gërma të arta emrin e tij në artin shqiptar e më gjerë.
I lindur më 1 maj të vitit 1985 në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, në një familje me traditë muzikore, Shpati diti më së miri të “rrëmbejë” zemrat e shqiptarëve me artin e tij.
Karrierën muzikore e filloi që në moshë të re, ku pati prezantime në festivalet për fëmijë, dhe në moshën 13 vjeçare u shpall fitues i festivalit “Bletëzat 98”. Më vonë rreth viteve 2000 ai u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern. Në 2002 mori çmimin e parë në festivalin “Këngët e Stinës” në Tiranë, dhe një vit më vonë do të merrte çmimin e publikut në festivalin “Nota Fest” dhe në “Albafest”, në Shkup.
Më tej ylli i muzikës vazhdoi të shkëlqente akoma edhe më shumë me çmime dhe hite të tjera, ku mund të përmendim: “Pop Idol” në 2004, Interpretuesi më i mirë në “Top Fest 1”, çmimi hit në “Kënga Magjike 2004”, e në 2005 çmimin e publikut, çmimin për videoklipin më të mirë po në të njëjtin vit etj.
Ndër hitet më të famshme të tijat janë “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, ″Ti je ajo″, ″Depresive″ e shumë të tjera. Ai bashkëpunoi me emra të njohur të industrisë muzikore dhe publikoi një sër albumesh prej të cilave mund të përmendim Do te vije nje dite (2004), Pa ty s’jetoj (2005), Kush të ndau prej meje (2006), Medikament(2010) e të tjera.
Për sa i përket jetës personale, Shpat Kasapi ka qëne i martuar me selvijen dhe ka lënë pas një djalë, Roelin. Ai po ashtu ka pohuar publikisht që ishte besimtar i fesë islame.
U prehsh në paqe Shpat, faleminderit për muzikën dhe emocionet që na ke dhuruar ndër vite!





