Aksidenti fatal në Cuneo, Itali: identifikohet viktima, ka humbur jetën 20-vjeçari nga Shqipëria, Klaudio Gjoka
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme, të enjten 22 janar, përgjatë rrugës shtetërore 589, në zonën e Staffarda, në territorin e komunës së Revello, rajoni Cuneo në Itali.
Në përplasjen mes një automjeti të lehtë dhe një mjeti të tonazhit të rëndë ka humbur jetën një i ri 20-vjeçar.
Viktima është identifikuar si Klaudio Gjoka, i lindur në vitin 2005, me origjinë shqiptare dhe banues në Saluzzo, Itali, raporton noa.al.
I riu ndodhej në drejtimin e makinës në momentin e aksidentit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimit mjekësor emergjent 118, përpjekjet për ta mbajtur në jetë kanë rezultuar të pasuksesshme.
Si pasojë e ngjarjes, segmenti i rrugës shtetërore 589 është mbyllur përkohësisht për qarkullimin, ndërsa trafiku është devijuar në rrugë alternative lokale.
Në vendngjarje ndodhen ekipet e Anas, shërbimet e urgjencës, zjarrfikësit dhe forcat e rendit, të cilët po punojnë për menaxhimin e situatës dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në qarkullim.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta të aksidentit. /noa.al





