Erald Xhejo 14 vjeç, ndërroi jetë pasditen e djeshme në spitalin e Korçës pas dy plagëve të marra në trup të shkaktuara nga goditja me thikë nga bashkëmoshatari, Enedio Guri.
Dy adoleshentët, nxënës të së njëjtës shkollë, prej kohësh konfliktoheshin mes tyre për motive banale, ndërsa ditën e djeshme u takuan rastësisht në ambientet e jashtme të një lokali në fshatin Pirg të Maliqit. Pas një përleshje fizike, Enedio Guri nxorri thikën duke goditur dy herë bashkëmoshatarin e tij.
Lidhur me këtë ngjarje tragjike, ka reaguar dhe Shkolla e Mesme e Bashkuar “Tafil Rexhepi”, ky Eraldi studionte. Stafi dhe shokët e 14-vjeçarit janë sot me zemër të thyer për humbjen e shokut të tyre, të cilin do e kujtojnë si një djalë plot ëndrra, buzëqeshje e plot mirësjellje.
“Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës!” shkruhet në postimin e shkollës.
Reagimi i shkollës së Mesme së Bashkuar “Tafil Rexhepi”:
Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald!
Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje. Ti ishe shembull i përkushtimit, i dashurisë për dijen dhe i shpirtit të pastër.
Shkolla nuk do të jetë më e njëjta pa ty. Banka ku uleshe do të mbetet bosh, por kujtimet tona do të jenë gjithmonë plot me dritën që ti fale.
Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen, por ti do të mbetesh përjetësisht në zemrat tona.
U prehsh në paqe!
Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës!
Ngushëllime familjarëve! Jemi bashkë me ju në këtë dhimbje të madhe!