Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin tonë mbrëmjen e së enjtes. 15-vjeçari nga Durrësi, Erion Boba, ndërroi jetë në QSUT, pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatari i tij pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale.
Pavarësisht “luftës” me vdekjen prej 9 ditësh që ai pati në shtratin e spitalit, plagët e marra rezultuan fatale, duke e ndarë nga jeta një adoleshent me ëndrra të mëdha, i cili thotë familja, “ishte dritë për të gjithë ata që e njihnin”.
Ngjarja, që sipas familjarëve lindi nga një debat banal mes fëmijësh, ka marrë përmasa edhe më të rënda pas ndarjes nga jeta të adoleshentit. Mes dhimbjes së thellë, familja kërkon përgjigje dhe një reagim nga instutcionet.
Halla e Erionit, në një letër të dërguar gazetares Klodiana Lala, shpreh tronditjen dhe revoltën e saj, duke akuzuar se nipi “u vra dy herë”, një herë nga bashkëmoshatari i tij, dhe herën e dytë nga mungesa e reagimit të institucioneve.
Me zemrën që po “i del” nga kraharori nga dhimbja, ajo ka shkruar se askush nuk ka trokitur në derën e tyre, as nga policia, as nga shërbimet psikologjike, në një koment kur familja ndodhet në një prej momenteve më të vështira për ta, që as në ëndrrat më të këqija nuk e kishin menduar se do t’u ikte drita e tyre e syve.
Letra:
Na la djali Klodiana!
Ai u vra dy herë!
Një herë nga vrasësi dhe një herë nga shteti
Asnjë reagim as nga policia,as nga media,as psikolog për të afërmit,jemi në një dhimbje që nuk po kemi më zemër ta mbajmë…kam ditë që përpiqem ta bëj mediatike të vërë dorë shteti apo dikush tjetër dhe të gjithë u vonuan,të gjithë panë një tjetër gjë më të rëndësishme(politikën??që po vret të rinjtë tanë
O moj Shqipni ,e mjera Shqipni…
Unë jam poete dhe po mbaj zemrën me dorë, po lutem të kemi tjerët…por më ka shkuar frika në palcë…kur do ndalojnë këto dhimbje, këto plagë për Shqipërinë tonë,për ne nënat që na dridhen këmbët…ku është ligji?
Pse dalin fajtorët nga burgu pas dy vjetësh?
Pse nuk funksionojnë psikologët nëpër shkolla të flitet për tema të tilla rrezikshmërie, jo për “gjinitë”
Pushtetarët po vrasin kombin shqiptar…dhe unë këtë do ta them në çdo ditë timen,në çdo shkrim e varg…unë nuk do mundet askush të më ndalojë derisa të mos vriten më fëmijë në kombin tim. Jemi bërë me trauma…edhe media ka fajet e veta…populli (Ne)nuk dimë më ku ta kërkojë të drejtën… gjithsesi më lër të tfalenderoj që mu përgjigje në telefon dhe me mesazhe…fati i Erionit tonë paska qenë bota e përtejme,sepse në këtë botë paska kriminela kudo.





