Një ngjarje e rëndë është regjistruar përtej Atlantikut ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën tragjikisht. Bëhet fjalë për Burim Havollin, 41-vjeçarin nga Kosova i cili u vra brutalisht mëngjesin e së mërkurës në Booklyn, Nju Jork.
Sipas mediave vendase mësohet se shqiptari nga Kosova humbi jetën pasi tentoi që të ndalonte një shtetas i cili tentoi që të vidhte në hollin e ndërtesës ku 41-vjeçari punonte si mbikëqyrës.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës në Ocean Avenue, në zonën Flatbush. Policia u lajmërua menjëherë dhe gjeti 41-vjeçarin me plagë të rënda në kokë. Ai u dërgua në spitalin Kings Contry, mirëpo fatkeqësisht nuk mund t’i mbijetonte plagëve të marra.
Burim Havolli kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej vitesh ku dhe kishte ndërtuar jetën e tij. Ai la pas bashkëshorten Jehonën dhe tre engjëjt e tyre, Jonën, Dhuratën dhe Kronin e vogël.
41-vjeçari të cilin fqinjët dhe miqtë e kanë përshkruar si një njeri të qetë, të dashur u bë prind për herë të tretë vetëm dy vite më parë.
“Baxho shumë e vështire me shkru për vdekjen tande se shpejt na ike, nuk kam fjalë me të përshkru se qfar njeriu ishe. Do të kujtojmë përher me mallë e krenari”, shkruan një prej të afërmve të tij.





