Mila, 7 vjeçe, mbesa e producentëve të njohur argjentinas Cris Morena dhe Gustavo Yankelevich, ka humbur jetën në një aksident të rëndë me varkë në ujërat e Miami-t.
Përveç saj, humbi jetën edhe një vajzë tjetër 13-vjeçare, ende e paidentifikuar. Dy fëmijë të tjerë, të moshës 8 dhe 11 vjeç, mbetën në gjendje kritike. Në varkë ndodhej edhe një instruktor 19-vjeçar, i cili mbijetoi së bashku me një vajzë tjetër 12-vjeçare.
Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 11:00 pranë ishullit Hibiscus, në gjirin e Biscayne, kur varka me vela në të cilën ndodhej Mila u përplas nga një barzhë 60 metra e gjatë. Ajo ishte pjesë e një kampi veror të organizuar nga “Miami Youth Sailing Foundation”, pranë “Miami Yacht Club”. Vajza u shpall e vdekur në vend.
Familja e Milës jetonte në Surfside, Florida. Babai i saj, Tomás Yankelevich, është regjisor dhe producent, ndërsa nëna, Sofia Reca, është aktore.
Roja Bregdetare e SHBA po heton shkaqet e aksidentit dhe ka konfirmuar se do të merret në pyetje kapiteni i mjetit lundrues. Një nga pistat kryesore është nëse barzha konsiderohej mjet me lëvizshmëri të kufizuar, çka do t’i jepte përparësi në lundrim.
Përfaqësues të klubit të lundrimit pohuan se, për shkak të mungesës së erës në ato momente, instruktori i ri nuk kishte mundësi ta kthente me kohë varkën për të shmangur përplasjen