Artisti Shpat Kasapi u nda para kohe nga jeta, në moshën 40-vjeçare pas një ataku kardiak.
Në emisionin “Breaking” ka folur miku i tij i afërt Rezart Veleshnja, i cili zbuloi më shumë detaje. Sipas aktorit, Kasapi ndodhej në Itali me ish-bashkëshorten pasi po kuronin djalin e tyre që kishte disa probleme shëndetësore. Paralelisht me koncertet, ai kujdesej dhe për të birin.
Aktori shtoi se Shpati nuk ka patur probleme me shëndetin por dyshohet se mund të ketë qenë diçka gjenetike, pasi dhe i ati i këngëtarit ka humbur jetën nga një atak kardiak.
“Shpati ka qenë në Itali me Selvijen sepse kishte një problem shëndetësor i bir. Pra ka qenë më koncert por dhe për kurimi ne të birit. Ai është ndjerë keq gjatë koncertit dhe ka humbur ndjenjat. Është munduar shumë dhe Selvia por nuk bëhej dot gjë. U mor ambulanca po nuk mund të bëhej më asgjë për të. Unë e kam shok fëmijërie. Tani na mbetet vetëm ta falenderojmë dhe vlerësojmë për gëzimin që na ka dhënë të gjithëve.
Shpati nuk kishte probleme shëndetësore. Mund të ketë qenë gjenetike sepse dhe i ati ka ndërruar jetë nga ataku kardiak. Shpati kishte shëndet shumë të mirë, bënte kontrolle të rregullta. Kishte nisur të zgjidhte dhe ushqimin sepse po shëndoshej.
Kam folur para dy ditësh 4 herë në telefon. Një nga fjalët ishte që kishte arritur dakordësinë për të qenë pjesë e ‘Big Brother’ por mesa duket nuk ka qenë e shkruar. Mezi po prisja ta shihja në big sepse ai ka një humor… Po më pyeste pak për Top Channel. Më tha që e kishte me shumë dëshirë. Lajmin e mora nga një shok i imi. Kisha patur dhe telefonata të tjera nga familjarë por nuk e kisha parë. Nuk e besoja dot.“- tha Veleshnja.





