Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në New York, ku 9-vjeçarja Melina Galani-Fratolin dyshohet se u vra nga baba i saj kanadez.
Pas rezultateve të autopsisë, rezultoi se vogëlushja ishte mbytur teksa baba e bijë ndodheshin me pushime në Amerikë.
Trupi i 9-vjeçares u gjet të dielën pasdite pranë një trungu, në një pellg të cekët në zonën e Ticonderogas, më pak se 24 orë pasi babai i saj, Luciano Fratolin, kontaktoi autoritetet lokale për të raportuar se e bija ishte rrëmbyer.
45-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për vrasje e fshehje kufome.
Në daljen para gjykatës, ai u deklarua i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas New York Post, Melina kishte folur me nënën e saj rreth një orë para vrasjes, që ka ndodhur midis orës 19:40 dhe 21:12, mbrëmjen e së shtunës.
Gruaja deklaroi se asgjë nuk i dukej e dyshimtë. Megjithatë, në orët që pasuan, ajo filloi të shqetësohej, pasi ish-burri i saj ndaloi së iu përgjigjur mesazheve të saj kur pyeti se kur do të ktheheshin në Montreal.
E shtuna supozohej të ishte dita e fundit e pushimeve të tyre në Shtetet e Bashkuara. Luciano Fratolin në denoncimin për rrëmbimin e së bijës pretendoi se dy burra me një furgon të bardhë kishin marrë Melinën.
“Z. Fratolin deklaroi se ishte ndaluar në një parking pranë Daljes 22 të I-87, në zonën e Liqenit George, për të urinuar. Ai fillimisht tha se ishte larguar nga automjeti i tij dhe kur u kthye, fëmija ishte zhdukur. Ai raportoi një automjet të dyshimtë të bardhë pranë vendit të ngjarjes dhe dy burra në të. Ky skenar u hetua dhe u hodh poshtë plotësisht”, u tha gazetarëve zëvendëskomisioneri, Robert McConnell, sipas Montreal Journal.