Hilsn

Reagon Mentor Haziri pas largimit të papritur nga Big Brother VIP Kosova

Largimi i papritur i këngëtarit Mentor Haziri nga shtëpia e “Big Brother VIP Kosova 4”, vetëm pak orë pasi kishte nisur rrugëtimin, shkaktoi habi dhe pikëpyetje të shumta në rrjet.

Pas spekulimeve fillestare, mbrëmjen e kaluar artisti ka vendosur të flasë për herë të parë, duke shuar çdo aludim dhe duke zbuluar se pas vendimit të tij fshihej një dramë e rëndë familjare, për të cilën publiku nuk ishte në dijeni.

Në një reagim të ndjerë, Haziri rrëfeu se vetëm një ditë para se të bëhej pjesë e spektaklit, ai kishte përcjellë për në banesën e fundit djalin e dajës, trupi i të cilit ishte sjellë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai u shpreh me dhimbje: “Dhimbja ishte shumë e madhe për t’u përballuar. Një ditë para se të hyja, kam varrosur djalin e dajës… një njeri shumë të afërt me mua.”

Këngëtari shpjegoi se u përpoq të respektonte angazhimin ndaj produksionit, por gjendja emocionale e rënduar e bëri të pamundur vazhdimin e lojës, pasi nuk mund të ofronte energjinë dhe muzikën që pritej prej tij. “Zemërthyerja ishte më e madhe se ky vendim dhe ajo bëri të veten,” shkroi Haziri në reagimin e tij.

Pavarësisht largimit të detyruar nga dhimbja, ai nuk harroi të falënderonte produksionin për mirëkuptimin dhe banorët për mikpritjen, duke na kujtuar se përtej dritave të spektaklit, realiteti dhe humbjet njerëzore mbeten mbi gjithçka.

×