Hilsn

E trishtë/ Ndahet nga jeta gazetari i njohur shqiptar

Fatos Mehdi Daci, një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës, historisë dhe publicistikës dibrane e shqiptare, është ndarë nga jeta.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur familja, e cila ka njoftuar se homazhet do të zhvillohen më 8 dhjetor 2025, në Pallatin e Kulturës në Peshkopi, nga ora 09:00 deri në 11:00, ndërsa varrimi do të kryhet në vendlindje, në lagjen Dacallarë të Sllovës, Dibër, në orën 13:00.

Pritja mortore para varrimit do të mbahet në Tiranë, më 7 dhjetor 2025, në Shtëpinë Funerale “Ija”, në Rrugën “Kujtim Laro”, nga ora 14:00 e në vijim.

Po ashtu, pritje do të ketë edhe më 9 dhjetor 2025, nga ora 08:00. Familja ka vendosur në dispozicion edhe një automjet për të mundësuar udhëtimin drejt Peshkopisë.

I lindur në Dacallarë të Sllovës, Fatos Daci ia kushtoi jetën dijes, shkrimit dhe dokumentimit historik të trojeve shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi të pazëvendësueshme. Ai ishte anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i disa shoqatave kulturore e atdhetare.

Në një krijimtari mbi pesëdekadëshe, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike me mbi 15 mijë faqe, duke dokumentuar figura, ngjarje, tradita dhe dëshmi historike të Dibrës dhe mbarë shqiptarisë. Veprat e tij shoqërohen me mijëra fotografi të rralla, portrete e dokumente, që sot përbëjnë një pasuri të rrallë kombëtare.

×