Hilsn

Bëri burg për përndj*kje ndaj Rozanës, pasi del nga qelia 28-vjeçari bie përsëri në burg duke përndjekur prap…

Qëndrimi në liri pas dënimit me burg për përndjekjen e këngëtares Rozana Radi zgjati

 

 

 

pak për një 28-vjeçar nga Tirana. Gati një vit pasi la qelinë ai përfundoi sërish në burg për përndjekje, por këtë herë, të një prej punonjëseve të burgut 313.

Në “shënjestër” të tij është vënë juristja e burgut të njohur të kryeqytetit, e cila është “terrorizuar” nga qindra mesazhe dhe emojy me thika e bomba të dërguara në rrjetin e saj social Instagram.

Kallëzimi i juristes së paraburgimit “Jordan Misja”, riktheu në qeli të riun Egzon T., për të cilin Gjykata e Tiranës vendosi të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas asaj që shkruan “A2”, referuar vendimit gjyqësor, historia e përndjekjes ka nisur në verën e vitin 2024. Juristja e burgut 313 ka kallëzuar në prokurori, se në mënyrë të vazhdueshme, në të gjitha oraret e ditës, merrte mesazhe të panumërta në rrjetin social Instagram, nga adresa dhe profile false, pa foto, pa postime, ku i thuhej “kush je ti”.

Në të njëjtat komunikime kallëzueses i janë dërguar edhe imazhe emojy, thika, bomba, duke i krijuar bindjen që dërguesi jo vetëm kërkonte ta bezdiste, por mund t’i rrezikonte jetën apo shëndetin. Përpjekjet e saj për t’i bërë block këtyre profileve kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi personi në pak minuta krijonte të tjera dhe vazhdonte avazin.

Situata ka ndryshuar në qershor 2025, kur juristja ka krijuar dyshime se dërguesi mund të ishte 28-vjeçari Egzon T. Kur i ka shkruar atij në emër në një nga profilet, ai i ka dërguar si përgjigje një foto të fletës së lirimit nga burgu, të datës 19.6.2024.

Sipas kallëzueses, i dyshuari e ka shqetësuar për muaj me radhë atë, por edhe familjarët, duke i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi e frike për sigurinë vetjake dhe të familjarëve.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë 28-vjeçari ka mohuar akuzën, duke pretenduar se nuk e njihte juristen, se nuk kishte telefon dhe se nuk i kishte dërguar ai mesazhet.

×