E beftë ishte ikja e Shpat Kasapit! Lajmin për ndarjen e tij nga jeta “theu” zemrat e miqve, kolegëve, e të gjithë atyre që u rritën, qeshën e qanë me këngët e tij.
Në kohën më të bukur, kur familja e tij ishte bekuar me ardhjen e Roelit dhe se i vogli kishte nevojë më së shumti për të atin, zemra e Shpatit u tregua “tradhtare”, pushoi së rrahuri duke lënë kështu një zbrazëti të madhe pas.
Momentet e fundit ai i kaloi pranë Selvies, bashkëshortes së tij të cilës i kishte premtuar që do ta donte deri në vdekje dhe Roelit, pasi të tre ndodheshin në Itali për kurimin e birit të tyre i cili ende nuk kishte arritur që ta thërriste “babi”.
Ka qenë miku i Shpatit, ai i cili e shoqëroi në spital, por që për fat të keq ishte tepër vonë për këngëtarin dhe mjekët nuk mundën që ta rikthejnë në jetë.
Ai ka treguar se në momentin që ka ndërruar jetë, sytë e tij shkuan nga djali të cilit donte t’i thoshte diçka, por që nuk mundi.
“Në momentin që ai ka ndërruar jetë, në bisedat që kam pasur pak më parë me Seldën, ka dashur të thotë diçka dhe i ka kthyer sytë nga djali. Prandaj ishte ai status i Selvës, që shyqyr ishim bashkë që e pa për herë të fundit djalin aty pranë”, tregoi Marigleni, miku i Shpatit për RTSH.
Trupi i pajetë i Shpatit vijon të jetë në Itali! Familjarët e tij janë duke kryer të gjitha procedurat për sjelljen e tij në atdhe dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit një njeriu i cili i ka lënë në dhimbje të madhe të gjithë.
Të shumtë kanë qenë ata kolegë, miq, madje dhe politikanë të cilët përmes rreshtave kanë treguar dhimbjen për humbjen e parakohshme të Shpatit, djalit të qeshur dhe artist, i cili përgjatë gjithë kësaj jete arriti të fitonte respektin dhe dashurinë e të gjithëve.
Një ditë më parë, shoqja e tij e jetës, postoi një video të Shpatit dhe të voglit të tyre, Selvija shkroi përmbi të dhimbjen e pamatshme që po ndjen, kur zemra po i “ndahet në dysh” nga humbja e papritur e dashurisë së saj.
Ajo tregoi se frymën e fundit ai e dha në krahët e saj, duart e së cilës ishte betuar që nuk do t’i lëshonte asnjëherë, por fatkeqësisht zemra e tij i preu rrugën e jetës në mes.
“Ndërrove jetë në krahët e mi o jet…Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentat në Itali, që të mund ta çonim sa më shpejt tek logopedetët më të mirë. Sa jemi lodhur, sa jemi stresuar…dhe askush nuk e di. Sa të afërt kemi qenë, sa bashkëpunues në privatësinë tonë, duke shijuar rritjen dhe zhvillimin e Roelit. Nuk prita ta dëgjoje duke të thirrur babi…nuk prite Shpat. Nxitove dhe na le këtu vetëm, pa ty.
E le Roelin jetim, o Shpat…Në kohën kur më së shumti kishte nevojë për ty. Në kohën kur duart e t’ia i duheshin më shumë se kurrë. Si t’ia shpjegoj Roelit që babi nuk është më. Më thoje gjithmonë se do të më doje deri sa vdekja të na ndante…por pse u ndave nga jeta në krahë e mi, pa ma këpute zemrën kështu, o jetë. Inshalla takohemi në Xhenet…Allahu të deshi pranë vetes, por unë mezi pres të zgjohem nga gjumi dhe të jesh këtu për ne”, shkruan ajo.





