Gerti Kallojeri 40 vjeç, është gjetur i pajetë në banesë nga nëna e tij mesditën e djeshme në Ksamil. Referuar burimeve për media,
Gerti kishte 4 ditë që kishte ndërruar jetë, por edhe pse u gjet i pajetë. Familjarët nuk kanë vënë në dijeni autoritetet me qëllim kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të zbuluar shkakun e vërtetë të vdekjes.
Familja Kallojeri kishte njoftuar vetëm shtëpinë e funeralit, të cilët kishin përgatitur të gjitha procedurat për varrimin e të ndjerit.
Në këtë moment ka ndërhyrë Prokuroria e Sarandës dhe policia, për të zbuluar më tej rrethanat. Nga autoritetet, familjes i është ndaluar varrimi i 40-vjeçarit dhe është urdhëruar dërgimi i trupit në Tiranë për t’iu bërë ekspertiza mjeko-ligjore.
Sakaq, një tjetër problematikë që ngrihet është se shtëpia funerale kishte marrë përsipër varrimin
pa kërkuar asnjë dokumentacion ligjor apo raport që lejonte varrosjen e trupit të pajetë. Sipas asaj që raportohet në media, shtëpia funerale është shprehur se ‘Më njoftuan familjarët që i kemi bërë veprimet ligjore’.
Vetë familjarët nuk kanë ngritur asnjë pretendim mbi vdekjen e 40-vjeçarit ndërsa më tepër detaje pritet të dalin në dritë për rastin në fjalë.





