Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë dje pas 6 ditësh në QSUNT,
denoncojnë se trajtimi fillestar në Spitalin e Durrësit u zhvillua në kushte të papranueshme, madje si në mesjetë.
Pas plagosjes, Erjoni i është nënshtruar operacionit, por gjatë procesit,
ka patur ndërprerje energjie dhe si pasojë të miturin e kanë dërguar me urgjencë në QSUNT, për mjekim të specializuar dhe ndërhyrje të menjëhershme sepse ishte prekur zema.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent.
Gjendja e djalit u përkeqësua, sepse e kemi mik shtëpie dhe jemi në dijeni të çdo gjëje”, është shprehur për JOQ një i afërm i familjes Boba.
Media ka kontaktuar me familjarët e të ndjerit të cilët dhe ata kanë pohuar se gjatë operacionit të Erjonit,
kanë ikur dritat dhe për këtë arsye i riu u dërgua te spitali “Nënë Tereza” në Tiranë. Aata janë shprehur se mjekët kanë bërë të pamundurën, por kushtet e spitalit ishin të tilla.
“Po. Kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita, por çdokush do të mbulojë diçka, që nga vrasësit, policia, spitali, media,
të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për 5 ditë, askush. Mjekët aty janë munduar, por kushtet janë fatale, as ashensor nuk kishte për emergjencat”, u shpreh halla e të ndjerit në një prononcim për JOQ.
I mituri u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, pak pas mesditës së 25 nëntorit,
në ambientet e jashtme të shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonte ai dhe adoleshenti tjetër që e qëlloi me thikë. Sherri nisi nga një koment në rrjetet sociale.





