Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Mabë, pranë fshatit Gocaj. Dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën. Si pasojë kanë humbur jetën çifti i bashkëshortëve.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupave nga automjeti. Gjithashtu raportohet se edhe për 3 të plagosur, bëhet fjalë për një grua dhe dy fëmijët e mitur 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”, në vendin e quajtur Gocaj, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete: automjeti me drejtues shtetasin F. L. dhe automjeti me drejtues shtetasin P. F.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasi P. F., rreth 53 vjeç, si dhe pasagjerja në këtë mjet, shtetasja E. F., rreth 45 vjeç, bashkëshortë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 3 pasagjerë që ndodheshin në automjetin me drejtues shtetasin F. L., konkretisht bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mitur, 6 dhe 2 vjeç, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.





