Një nga figurat më të shquara të matematikës shqiptare dhe personalitet në fushën e arsimit të lartë, profesori i nderuar Mina Naqo është ndarë nga jeta në moshën 86 vjeçare. Lajmin e trishtë e jep Rektor i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha.
Ai thotë se kolegët do ta kujtojnë përherë profesor Naqon si njeri të thjeshtë e të përkushtuar në punë. “Tek ai ndërthureshin më së miri korrektësia para punës dhe profesionit me ngrohtësinë njerëzore me kolegët dhe studentët”, shkruan Rektori.
Në emër të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha i shpreh ngushëllimet familjes së profesor Naqos, por edhe kolegëve të shumë të tij në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës.
Prof. Dr. Mina Naqo lindi në 12 janar 1939, në qytetin e Vlorës, ku kreu arsimin 8 vjeçar dhe të mesëm. Më pas ai ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku shkëlqeu si student në fushën e matematikës.
Pas diplomimit, ai iu përkushtua Departamentit e Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku për dekada shërbeu si pedagog. Përveçse një studiues dhe pedagog i shkëlqyer, ai ishte një frymëzues i studentëve që aspironin mësuesinë dhe shkencën e matematikës.
Prof. Naqo ishte autor dhe bashkautor i teksteve të shumta universitare dhe shkollore, të cilat për vite u shndërruan në bazë të formimit të mijëra nxënësve dhe studentëve shqiptarë.
Me punën e tij kërkimore dhe botimet shkencore, ai la gjurmë të çmuara në zhvillimin e matematikës dhe në ngritjen e standardeve akademike në vend.